BeqirS | 2 Feb 2010 15:30
Picon
Favicon

Cmimet kombetare per letersi - Vetem nje shqiptaro - amerikan




Mirë çmimet e dinamika... po, a ka libra në treg?!
 
 
 
VIOLETA MURATI
 
 

 Cmimet kombetare per letersi - Vetem nje shqiptaro - amerikan
 
Me çmimin në fushën e esesë, që mban emrin “Gjergj Fishta” u vlerësua studiuesi Ardian Vehbiu për vështrimin e thellë sociogjuhësor të deformimit të shqipes nën trysninë e dogmës komuniste
 

TIRANE : Nën sfondin e muzikës së këngës, me vargje të Dritëro Agollit, në një atmosferë me përpjekje artistike, dje, në Ministrinë e Kulturës për herë të parë në këta 20 vjet letërsia kombëtare ka dëshmuar dinamikën e saj të vetëmjaftueshme. Çmimet kombëtare për letërsinë - që ndahen çdo vit nga posti më i lartë politik, i kulturës pas disa muajsh leximi nga juria, me kryetar Mark Markun - për vitin 2009 kanë pasur pritshmërinë më të befasishme. Arsyeja: ky vit ka prodhuar një letërsi me dinamikë të brendshme letrare që nuk ka ndodhur më parë. Ndaj dhe ky edicion çmimesh nuk do mbahet mend aq shumë se kush i mori çmimet, por çfarë letërsie u bë, si fenomeni që do diskutohet më gjatë se një ditë. Nga juria u tha qysh në fillim se nga konkurrimi për romanin më të mirë janë përjashtuar dy shkrimtarë: Ismail Kadare, i cili ka botuar dy romane në vitin ’09, “E penguara” dhe “Aksidenti”; si dhe shkrimtari Fatos Kongoli me romanin e ri “Bolero në vilën e pleqve”. Për të dy këta autorë justifikimi ka qenë se e kanë fituar një herë çmimin kombëtar për letërsinë, kështu janë të përjashtuar nga konkurrimi. Ndonëse kjo duket pak jashtë arsyes, për ta matur letërsinë kombëtar në një total niveli letrar, duke bërë përjashtime letrare, çmimi i madh i letërsisë, iu dha shkrimtarit Agron Tufa, për librin “Thembra e Akcilit” për stilin postmodern, për risinë e zhanrit të miniaturës, për çlirimin e gjuhës nga klishetë dhe për nivele të larta të shkrimit të shqipes. Vetë Tufa e përballoi me shumë emocion këtë çmim, duke thënë se ky është një dedikim falënderues për gjuhën e madhe shqipe dhe si vëmendje që i kushtohet veprës së tij.
 
 
 
Pas këtij çmimi, të tjerat, ministria i ka bërë ndarjet e komplikuara për nga shumica e emrave nderues. Fusha ku ka pasur më shumë debate, por dhe ka njohur dinamikën më të madhe letërsia jonë për këtë vit ka qenë romani, ku kryetari i jurisë, Mark Marku, e ka shoqëruar me tendencën e autorëve për t’u shkëputur nga klishetë, për t’u bërë pjesë e vlerave botërore, duke gjetur edhe komunikimin me lexuesit e letërsisë shqiptare. Kjo e fundit mund të jetë një prej hallkave më delikate për t’u debatuar, pasi janë botuesit të parët barrierë për shkrimtarin; tregu është gjuha tjetër e hidhur, që nuk flet në favor çfarë pohoi kryetari i jurisë, z. Marku. Ndonëse ky e hedh problemin e tregut të librit tek pala tjetër, botuesit dhe shtypit kulturor.
 
Gjithsesi nga reagimi se shqiptarët po nisin të lexojnë vetveten, çmimi “Petro Marko” për romanin më të mirë iu dha shkrimtarit, një personaliteti të së majtës shqiptare, Ben Blushit me veprën “Otello, arapi i Vlorës”, për aftësinë e ndërthurjeve rrëfimtare dhe për një këndvështrim të ri në romanin shqiptar. Blushi, që ndodhet në kohën e tij jo të mirë politike, si duket ia ka kthyer kusurin letërsia, duke prodhuar dy romane, me të cilët polemizuesit e tij, e kanë bërë që librat të shkojnë tek lexuesi, e për meritë të rilexohet historia jonë. Por, pas çmimit që i dhanë botuesit në panairin e librit, çmimi që i erdhi nga Ministria e Kulturës, si duket e ka befasuar Blushin jashtë parashikimeve të tij, duke mbyllur të gjitha gojët e liga se letërsia mund të politizohet.
 
Megjithatë, pasi Blushi është shprehur se “Otello...” e ka mbajtur gjallë për 3-4 muaj, dhe se lexuesit i ka ofruar një histori për të gjetur veten çdokush që është kundër racizmit, kundër trotuarit, kundër varfërisë, lexim që jep emocion etj., – pra, ky shkrimtar nuk ka mundur ta kalojë nderimin pa ironinë e situatës politike, ku gjendet krahu që ai përfaqëson, duke e vlerësuar çmimin e Ministrisë së Kulturës me përjashtimin e arsyes politike - se “fleta e votimit” të tij është krejtësisht korrekte, përderisa ka fituar. Jashtë këtyre reagimeve, kryetari i jurisë, Mark Marku, u shpreh se romani ka qenë arsyeja më e fortë për të dëshmuar se letërsia shqiptare tashmë po njeh dinamikën e saj të natyrshme, jetën e saj të brendshme, duke treguar konkurrencën që ka pasur për këtë çmim, ku përmenden autorë si Zija Çela, Mira Meksi, Agron Tufa, Halit Shamata, Teodor Laço, Bashkim Shehu etj.
 
Juria çmimin “Lasgush Poradeci” për poezinë nuk ka mundur ta ndajë për autorë të gjallë, ndonëse poezia për ’09 njeh botime nga më cilësoret, që ndoshta hyn ndër raste të rralla ku poetët si Arjan Leka, apo Ledia Dushi bëjnë kërkime në të njëjtin lëm, njeri mbi vargun, e tjetri mbi dilema brendanjerëzore siç është jeta dhe vdekja moderne. Duke i qëndruar larg këtij perceptimi, ndoshta pa menduar dhe në shumë thellësi, se kategoria e njerëzve që iu ndalua vepra, iu ndal krijimtaria dhe jeta në kohën e diktaturës janë shumë, dhe për to duhej një vlerësim i klasifikuar më vete - juria vendosi që çmimi poetik t’i jepej një prej këtyre të fundit, poetit të pushkatuar nga diktatura Vilson Blloshmi në rastin e botimit të plotë të poezive të tij. “Ky çmim vlerëson përpjekjet për emancipimin estetik të artit të poezisë, duke sfiduar banalitetin e regjimit nën të cilin krijoi” - në fakt ky motivim duhej të ishte evokim për një klasifikim tjetër letrar, sepse botimi i dy veprave të plota nga krijimtaria e Blloshmit shoqërohet me studimin e rrallë që i ka bërë Sadik Bejko këtij zbulimi poetik. Trofeu iu dorëzua të vëllait të Vilsonit, Bedriut, që është marrë me nxjerrjen nga arkiva e sigurimit të gjithë krijimtarisë së poetit, ashtu dhe të Genc Lekës.
 
Sikur të kishte shpërndarje natyrale në treg, por dhe njohje më të saktë nga botuesi i tij, shkrimtari Romeo Çollaku, që jeton e krijon në Greqi, nuk do hynte dje në ironinë e atyre që e kanë botuar dhe i dhanë çmim. Me çmimin “Mitrush Kuteli” për tregime, u vlerësua vëllimi me tregime “Për shtegtarët e pak metrave katrorë” të shkruar nga Çollaku. Motivi ishte i thjeshtë, pak i ngutshëm, si vlerësim letrar - për hijeshinë dhe befasinë e gjuhës e të kompozimit. Ky shkrimtar i brezit të avangardës, që mbajti mbi kurriz kusuret qoftë të gjuhës, por dhe të lëndës letrare, duke ruajtur një origjinalitet dhe vendosur një arketip bashkëkohor në shqipe, “luftoi” me një shkrimtar tjetër për këtë çmim, me veprën e Eqerem Bashës, autor nga Kosova.
 
Bardhyl Londo, një prej anëtarëve të jurisë që e dha çmimin, për paradoks të kohës kur ai është ndarë prej shkrimeve letrare, tha se nuk e njihte për nga “fytyra” shkrimtarin Çollaku, e për t’ia shtuar këtij “të harruari” impresionon nga Shqipëria për të cilën krijon, botuesja Arlinda Dudaj e përforcon duke u shprehur se i kanë pëlqyer tregimet e këtij shkrimtari të ri. Duhet thënë se libri i Çollakut, ashtu si dhe shumë të tjerëve që e kanë të vështirë të notojnë mbi botuesit, dhe rrumpallën e tregut të këtushëm, prej “vetes” e kanë anomalinë, siç është qoftë rasti i botueses “Dudaj”, aq dhe gafa e poetit Londo. Botuesja Arlinda Dudaj ndoshta është ndjerë mirë dje, - që mes personaliteteve dha një vlerësimi zyrtar të lartë për shkrimtarin që ka botuar, - i jepet mundësia të flasë. Ndërsa në të kundërt ka ndodhur në promovimin e këtij autori, kur në panair, në stendë, libri i Çollakut pothuaj ishte fshehur, dhe mbytej nga një libër i Kledi Kadiut (që nuk është shkruar as prej tij), në treg për muaj nuk është gjendur dhe në televizione i duhet të flasë për libra që kushtojnë komercialisht, dhe nuk kanë pikë vlerë për kulturën tonë, për jetën tonë të brendshme, sidomos letrare.
 
Me çmimin në fushën e esesë, që mban emrin “Gjergj Fishta” u vlerësua studiuesi Ardian Vehbiu për vështrimin e thellë sociogjuhësor të deformimit të shqipes nën trysninë e dogmës komuniste; përcaktimi me çmimin “Faik Konica” në fushën e kritikës iu dha studiueses Floresha Dado, për librin “Sfidat teorike të historiografisë letrare”, për trajtimin origjinal të temave të rëndësishme të debatit teorik letrar shqiptar; në fushën e përkthimeve artistike nga shqipja në gjuhë të huaj, çmimi “Jusuf Vrioni” iu dha përkthyesit Edmond Tupja për përkushtimin e tij të qëndrueshëm në përcjelljen e vlerave të letërsisë shqipe në gjuhën frënge; nga gjuhët e huaja në shqip, me çmimin “Fan Noli” u vlerësua përkthyesi Afrim Koçi për përkthimin në një shqipe të admirueshme të kryeveprës së novelistit Tomas Mann, “Mali Magjik”. Debutimet në letërsi, në prozë, për të cilët jepet çmimi “Migjeni”, juria ka pasur dy emra përballë, Eljan Taninin dhe Eir Plasarin. Një tjetër çmim i befasishëm që ka vënë para mikrofonit shkrimtaren Mimoza Ahmetin për të marrë trofeun e vajzës së saj, Eir Plasari, për romanin “Bërthama”, e vlerësuar për përpjekjen e saj origjinale në shkrimin e prozës. Eir është parë për natyrën e saj interesante të të rrëfyerit, që ka genin e dy prindërve, shkrimtarit Aurel Plasari dhe nënës së saj, Mimoza Ahmetit.
 
Pas dy vitesh mungese vlerësimi, për shkak se asnjë vepër nuk përmbushte kriteret për të qenë e rekomanduar, dje çmimin “At Donat Kurti”, në fushën e letërsisë për fëmijë, e “shpëtoi” shkrimtari Virgjil Muçi me librin “101 përralla shqiptare”, me motivin “Për kontributin në afrimin e lexuesit të ri drejt visareve të kulturës popullore shqipe”. Çfarë është lexuar nga kjo listë e gjatë çmimesh, por dhe jashtë tij, dhe cili është realiteti i tregut,të marrëdhënies mes botuesit e shkrimtarit – mbetet nyja më e pazgjidhshme dhe më e pamëshirshme, që vështirë se do ta bënte letërsinë shqipe të kapërcente dhe hendekun e fundit; atë të komunikimit natyral me lexuesin. Nëse gjithnjë është qarë halli, se nuk ka letërsi, se ajo nuk përputhet me ndjeshmërinë e kohës - 2009-a e kundërshton krejtësisht. Veçse arsyeja e murit mbeten botuesit; sidomos ata që nuk njohin se cilët shkrimtarë po botojnë. Nëse nuk e harrojnë mendjen tek paratë dhe të kujtojnë se po botojnë gjuhën, dhe letrat shqipe - së cilës iu fal edhe Tufa, që mori çmimin e madh kombëtar! 
 
 
 
Ardian Vehbiu gjuhëtar dhe përkthyes 
  
  I diplomuar për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës në 1983, Ardian Vehbiu ka punuar si gjuhëtar, pedagog i gjuhës shqipe dhe përkthyes nga Tirana në Napoli të Italisë dhe, që prej vitit 1996, në New York.
Prej vitesh i pranishëm me analizat dhe esetë e veta në shtypin shqiptar, ka botuar 7 libra me ese. Libri i fundit 'Folklori i elitave' sapo është botuar në Tiranë.
 


__._,_.___

Mos harroni se Shqiperia eshte nje Liste Informative Kombetare Shqiptare, synon ne nxitjen e atedhedashurise, tek te gjithe shqipetaret pa dallim Krahine, besmi dhe seksi. Me parimin : Me i nderuari nga ne eshte nacionalisti dhe ai qe  i sherben me shume ceshtjes kombetare... Per kete jane te ftuar te gjithe shqiptaret kudo qe ndodhen qe te kontribojne ne rritjen e atedhedashurise nder shqiptar...

Per tu anetaresuar ne liste e-mailo:

shqiperia-subscribe <at> yahoogroups.com

Per ta lene listen e-mailo:

shqiperia-unsubscribe <at> yahoogroups.com

==================================================================



Your email settings: Individual Email|Traditional
Change settings via the Web (Yahoo! ID required)
Change settings via email: Switch delivery to Daily Digest | Switch to Fully Featured
Visit Your Group | Yahoo! Groups Terms of Use | Unsubscribe

__,_._,___

Gmane