Home
Reading
Searching
Subscribe
Sponsors
Statistics
Posting
Contact
Spam
Lists
Links
About
Hosting
Filtering
Features Download
Marketing
Archives
FAQ
Blog
 
Gmane
From: hamdi nuhiju <hamdinuhiju <at> yahoo.com>
Subject: ALEKSANDRIA DHE BIBLIOTHECA ALEXANDRINA , Behxhet Jashari
Newsgroups: gmane.politics.region.albania.shqiperia
Date: Saturday 31st March 2007 19:43:27 UTC (over 9 years ago)
http://www.furkan.com.mk/vepra/index.php?option=com_content&task=view&id=46&Itemid=26
   
        ALEKSANDRIA DHE BIBLIOTHECA ALEXANDRINA                  Shkruar
nga Behxhet Jashari        

  Behxhet Jashari


  Pak janë ato qytete në botë që kanë një histori me përplot sfida
dhe peripeci ashtu siç është Aleksandria në Egjipt. Ky qytet i bukur
në brigjet veriore të Detit Mesdhe është i themeluar në vitin 331
p.e.r. nga Aleksandri, i biri i Filipit (Leka i Madh).
Që nga koha e Aleksandrit të Madh, Ptolomejëve, Qesarit, Kleoptarës,
Marko Antonios, shën Markut, e deri te Teofili i vitit 391 të erës së
re, madje deri te gjenerali arab Amr Ibn Asi i vitit 641, françezi
Napoleon Bonaparta, e shqipëtari Muhammed Aliu, Aleksandria do të
përjetojë periudha nga më të ndryshmet.
Shumë më parë, para se të vijë Aleksandri në këtë qytet, Homeri në
“Odisenë” e tij e përshkroi këtë qytet me entuziazëm të madh,
veçanërisht kur flet për ishullin Faros, që sot e quajnë Ras et-Tin.
Aleksandri i Madh, i biri i Filipit dhe i nënës Olimpia, “e cila ishte
një princeshë e Epirit, me të njëjtin gjak të shqiptarëve të
sotëm”, ishte një entuziast mjaft i shkathtë. Gjatë moshës rinore të
tij u tregua tepër i suksesshëm në detyra dhe prova të ndryshme
luftarake. Të birit të tij Aleksandrit, Filipi ia mundësoi edukimin më
të mirë të kohës. Kështu pra, me qëllim që ta orientojë dhe ta
edukojë në frymën e kulturës helenike, ai për mësues ia zgjodhi
Aristotelin. Ky e mësoi Aleksandrin për dashurinë ndaj jetës, artit,
poezisë, si dhe ia mësoi edhe parimet e filozofisë. Pa dyshim,
Aristoteli (në cilësinë e mësuesit) pati një ndikim shumë të
fuqishëm në arsimimin dhe ngritjen e personalitetit të Aleksandrit.



   
  Jo vetëm kjo, por Aleksandri ishte edhe ithtarë i vërtetë i leximit.
Ai vazhdimisht gjente kohë edhe për të lexuar. Lexoi mjaft libra, siç
ishin veprat historike të Herodit, Ksenofonit dhe Filistit. Ai nuk i la pa
i lexuar edhe veprat e Talestit, Filoksenit, si dhe ato të Es’hilit,
Sofokleut dhe Euripidit. Plutarku thotë: “Aleksandri e dëshironte
literaturën dhe leximin, madje kur ai - gjatë një ekspedite ushtarake -
në një rast ishte gjetë në brendinë e Azisë, kishte urdhëruar që
nga Aleksandria t’ia dërgojnë librat”. Aristoteli ishte ai që e
frymëzoi nxënësin e vet me një dashuri të madhe ndaj poezisë greke,
veçanërisht të Homerit. Nga të gjitha veprat e lexuara, veprat e
Homerit për Aleksandrin ishin nga më të dashurat.
Kur babai i Aleksandrit vdiq, Aleksandri ishte djalosh njëzet vjeçar. Në
këtë moshë iu desh që të merrte trashëgiminë e të atit, por edhe
duhej të tregonte se është mjaft i aftë për ta ruajtur fronin.
Gjatë mbretërisë së tij, Aleksandri vazhdimisht pushtonte toka të
reja. Ai tregoi të gjitha talentet e një strategu, të cilat do ta bënin
pushtues të Azisë. Me strategjitë e tij efikase, Aleksandri së shpejti
do ta pushtojë edhe Egjiptin. Madje, ashtu sikur grekët e Azisë së
vogël, edhe egjiptasit shihnin tek Aleksandri një çlirimtar. Atëherë
kur Aleksandri erdhi në Egjipt, pikërisht në qytetin Memfis, vendasit e
pritën me gëzim të madh, sepse e urrenin sundimin e persianëve. Kjo
ishte koha kur Leka i Madh kishte 25 vjet dhe periudha kur kishte filluar
me ekspeditat e tij ushtarake në drejtim të Greqisë, Azisë së Vogël,
Persisë, Indisë etj.
Pushtuesi i ri ishte ai i cili u tregua mjaft produktiv në zgjerimin e
kulturës helene, si dhe në zhvillimin e vetëdijes intelektuale. Planet e
tij ishin që të ndërtojë shumë qytete, tempuj, parqe, kanale për
ujitje, si dhe objekte tjera gjigante, ku në çdo kënd do të vërehej
kultura dhe qytetërimi helen... Ai kishte shprehur dëshirë të madhe që
të themelojë një qytet madhështor i cili do ta mbante emrin e tij.
Thuhet se, pasi që kishte shprehur dëshirë të themelojë edhe një
qytet të madh në Mediteran (në brigjet e Mesdheut - në Egjiptin Verior,
e që do ta mbante emrin e tij), në ëndërr iu kishte paraqitur mentori i
tij shpirtëror Homeri. Ky ia kishte recituar disa pjesë nga Odiseja,
pikërisht atë pjesë ku bëhet fjalë për “Menaleun i cili kërkon
strehim në gadishullin Faros” . 
Plutarku tregon se, pasi që Aleksandri ishte zgjuar nga gjumi, kishte
shkuar në gadishullin Faros, që ishte pak më lartë se delta e Nilit,
në vendin që quhej Kanopik... aty iu parafytyrua se ky vend - që është
në formë të pjatës - është më adekuat për atë që dëshironte të
ndërtojë. Ai me kujdes të veçantë e kishte studiuar vendin që gjendej
në deltën e Nilit, e më pas urdhëroi që në këtë lokalitet të
ngrihet një qytet, vend ky i cili ishte mjaft ideal, sepse aty gjendej
edhe “qendra e Greqisë së Madhe”.
Kështu pra, Aleksandri, në konsultim me arkitektët dhe mjeshtërit që
njiheshin në kohën e tij, vendosi që ta realizojë planin për ngritjen
e një qyteti të madh në deltën e lumit Nil. Nga të gjitha ndërtimet
(në shumë anë të botës) që ishin realizuar me urdhër të Aleksandrit
të Madh, si duket Aleksandria do të bëhej qyteti më i rëndësishëm
për mbretërinë e tij, si dhe për botën dhe kulturën helene në
përgjithësi. Ai planifikoi që në këtë qytet të ndërtohen mjaft
godina, siç ishin tempuj religjioz, biblioteka, kopshte të ndryshme etj.
Përgatitjet filluan. Aleksandri tuboi një grup arkitektë dhe
këshilltarë të tij, ndër të cilët ishin Kleomeni nga Naukratisi,
Dinokrati nga Rodosi, Krateri nga Olinti dhe Heroni nga Libia. Për
përgatitjen e planit të qytetit të ri, personalisht Aleksandri i
angazhoi arkitektët e njohur të kohës së tij, si Dinokratin nga Rodosi
dhe Sostratin nga Kinida. Ai angazhoi edhe shumë njerëz tjerë për
këtë projekt të madh (ngritjen e Aleksandrisë), të cilët u angazhuan
në sfera të ndryshme përgatitore, ndërsa Kleomenin nga Naukratisi (i
cili ishte edhe ministër i tij për financa në Egjipt), e detyroi për
mbikëqyrje të punëve dhe për të siguruar fondet e duhura për
ndërtimtari....
Pas këtij vendimi që zgjati disa ditë, Aleksandri u largua nga ky vend
dhe kur më nuk u kthye, edhe pse qyteti e mori emrin Aleksandria. Pas
vdekjes së tij, e kthyen në Aleksandri ku edhe e varrosën, ndërsa si
datë historike për themelimin e qytetit llogaritet 7 prill 331 p.e.s..
Gjatë kohës së Aleksandrit, me këtë qytet administroi Kleomeni, i cili
qytetin e bëri liman aktiv që kishte kapacitet për t’i plotësuar të
gjitha nevojat e tregtisë ndërkombëtare me drith.
Duke ngritur një numër të madh vendbanimesh të vogla dhe të mëdha,
që prej Aleksandrisë në deltën e lumit Nil në Mesdhe, e deri në
Aleksandrinë buzë lumit Jaksartë, ai arriti që në botën antike të
vendosë një varg qendrash të qytetërimit grek. Kultura helenike u
zgjerua në mbarë Azinë e vogël, si dhe në Persi, në Afrikën Veriore
etj. Natyrisht, merita për këtë i përshkruhej Aleksandrit, të birit
të Filipit, e askujt tjetër. Aleksandria u bë qendër e helenizmit dhe
njëkohësisht edhe qendër e rëndësishme ekonomike e asaj kohe.
Plani i qytetit ishte mjaft preciz. Rrugët e gjera gjashtë deri në
dhjetë metra, sipas rëndësisë, gërshetoheshin njëra me tjetrën. Nga
rrugët më të njohura të Aleksandrisë antike ishte “Via Canopica” që
sot quhet El-Iskenderije.
Në çdo lagje kishte nga një shesh të madh publik, ku mund të hyhej pa
ndonjë huti. Shtëpitë ishin të lidhura me një sistem ujësjellësish
dhe kanalizimesh njëra me tjetrën. Ato ishin mjaft të përshtatshme dhe
luksoze për jetë, ndërsa godinat e administratës dhe ato zyrtare me
gjelbërimet përreth të jepnin të kuptosh se bëhet fjalë për një
renditje të bukur urbanistike. Gimbergu për këtë renditje do të thotë
se “të lë përshtypjen e madhështisë dhe humanizmit”. Porti i qytetit
kishte tre basene me skela, te të cilët lidheshin të gjitha llojet e
anijeve.
Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh (viti 323 p.e.s.), fronin e trashëgoi
gjenerali i tij Ptolomeu, i biri i Lagosit, i cili në fron erdhi nga posti
i guvernatorit të Egjiptit. Ky përfundimisht në vitin 320 p.e.s. e
shpërnguli të gjithë administratën dhe rezidencën e tij nga Memfisi,
që ishte kryeqendra e vjetër Egjiptase, në qytetin e ri që e emërtuan
Alexandria. Vdekja e papritur e Aleksandrit shkaktoi përçarje në
mbretërinë e tij. Fërkimet, që më në fund rezultuan me copëtim të
mbretërisë, natyrisht ndodhën ndërmjet gjeneralëve dhe
administratorëve të tij. Çdo njëri nga ata në viset ku administronte u
vetëshpall si administrator absolut i provincës së tij.
Në vitin 306 p.e.s, i biri i Lagosit, Ptolomeu, në Egjipt themeloi
dinastinë e tij e cila sundoi rreth tre shekuj.... Ptolomeu ishte ai i
cili në Aleksandri ndërtoi edhe disa objekte tjera. Ndër godinat që u
ngritën në këtë qytet të ri ishin edhe Heptastadiumi, tempulli pagan
Serapij, Kulla shndërritëse ose ndriçuesi i limanit të Farosit, etj.
Heptastadiumi ishte një urë lidhëse ndërmjet Farosit dhe bregut të
qytetit që e ndan qytetin në pjesën perëndimore dhe lindore, ndërsa
Farosi ishte një kullë e lartë prej 120 metrash të cilën e kishte
projektuar arkitekti i njohur i asaj kohe Sostrati. Kulla shërbente si
pikë orientimi për anijet të cilat në liman duhej të arrinin gjatë
natës. Në majën e saj skllevërit mbanin ndezur një zjarr të madh
gjatë natës, me qëllim që të duket në një largësi më shumë se
pesëdhjetë kilometrash. Kulla e limanit Faros në Aleksandri konsiderohej
si një nga shtatë çudirat më të mëdha të botës. Madje, në vitin
150 p.e.r. edhe poeti grek Antopatrosi nga Sidoni, pranë Farosit, në
çudirat e botës i kishte radhitë edhe piramidën në Gizë, Kolosin në
Rodos, mauzoleun në Halikarnas, tempullin e Artemidinit në Efes, Statunë
e Zeusit në Olimp dhe kopshtet e Semiramidinit. Sot në vendin e kullës
së Farosit ekzis
 ton kështjella monumentale e Kajt Beut, në brendinë e së cilës
gjendet xhamia më e
 vjetër e Aleksandrisë; madje në këtë kështjellë gjenden edhe dy
muzeume. Kulla e lartë ndriçuese (Farosi) është rrënuar gjatë
tërmeteve që ndodhën në vitet 956, 1323 dhe më pas edhe në vitin
1375.
Nga objektet që do të luanin një rol mjaft të rëndësishëm
intelektual në Aleksandrinë helene, ishin edhe qendra për studim e
njohur me emrin Mouseon (muze-akademi) dhe Biblioteka Mbretërore e
Aleksandrisë.
Në anën Lindore të Aleksandrisë së vjetër ekzistonte një hyrje në
qytet që quhej Dera e Diellit, ndërsa në pjesën perëndimore Dera e
Hënës. Në lindje të Aleksandrisë u ngrit edhe një qytet tjetër i ri,
i cili u quajt Nikopol, e që sot ai kuart quhet er-Ramël dhe konsiderohet
si periferi e Aleksandrisë.
Sipas të dhënave, thuhet se ndërtimi i disa objekteve të qytetit, të
cilat i kishte filluar Ptolomeu I, zgjati rreth njëzet vite. Ndërtimi i
tyre përfundoi gjatë sundimit të të birit të tij, Ptolomej II
Filadelfiut (285-246 p.e.s.). Andaj edhe sipas traditës, meritat për
zgjerimin dhe zbukurimin e qytetit më tepër i përshkruhen të birit
(Ptolomej II Filadelfiut /285-246 p.e.s.), se sa babait Ptolomeu I.
Më vonë qyteti u pasurua edhe nga Evergeti i parë (246-221 p.e.s.), i
cili ishte mbret nga dinastia ptolomeje. Ky e kishte meremetuar Serapeumin
dhe atje e kishte vendosur aneksin e Bibliotekës së Madhe mbretërore.
Serapeumi i ri dhe Biblioteka numëroheshin në ndërtesat më të mëdha
të qytetit. Kështu pra, Aleksandria u bë qytet i njohur në mbarë
Perandorinë Romake, e që më vonë (shek. IV) autori romak Amian
Marcelini do të shkruajë se “Aleksandria është kurora e të gjitha
qyteteve. Atë e zbukurojnë mjaft godina gjigante, për të cilat duhet ta
falënderojmë arkitektin e njohur Dinokratin”.

Aleksandria arriti të bëhet qytet i cili do t’i tërheqë një numër
të madh njerëzish të Mesdheut të atëhershëm, siç ishin grekët,
arabët, hebrenjtë etj. Aleksandria u bë qytet i madh ku filluan të
zhvillohen edhe degë të ndryshme të zejtarisë. Ekspansioni i vrullshëm
ekonomik bëri që Aleksandria të lulëzojë në të gjitha sferat
ekonomike. Politika qeverisëse e ptolomejëve ishte mjaft fleksibile,
kështu që ata arritën të bëhen sovranët më të pasur të kohës.
Qeveria kishte siguruar kontrollin e tregtisë së drithërave, të vajit
të ullirit, tekstilit, industrinë e qelqit, prodhimin e papiruseve,
prodhimin e birrës dhe të parfumerisë. Pagesa kryhej me para, por edhe
me grurë. Madje, farkëtaria egjiptase për farkimin e monedhave u
themelua në Aleksandri e jo në kryeqendrën e mëparshme Memfis. Kështu
pra, në shekullin e III p.e.s. Aleksandria - me potencialin ekonomik dhe
detar që posedonte, e ve
 çanërisht me potencialin intelektual të saj - mbërriti kulmin e famës
së vet. Nuk mund
 të paramendohej një Aleksandri e zhvilluar pa potencialin intelektual
dhe bibliotekën e madhe që ishin në gjirin e saj. Ajo, pikërisht me
bibliotekën e saj të madhe u njoh si kryeqendër intelektuale botërore.
Religjioni i banorëve të Aleksandrisë ishte paganizmi, madje një pjesë
e qytetarëve predikonin besime të ndryshme. Si qytet administrativ dhe si
qendër tregtare e intelektuale, Aleksandria ishte në kontakt edhe me
vendet tjera më të largëta, siç ishin India, Kina etj. Banorët e
Aleksandrisë ishin me origjinë të ndryshme, aty pranë egjiptasve
jetonin edhe grekë, hebrenjë, romakë, kartagjenas, lakedemonë, madje
mund të takoheshin edhe kinezë dhe indianë.
Gjatë qëndrimit të tij në këtë qytet (në vitin 145 para erës së
re), udhëpërshkruesi antik Polibiu popullatën e Aleksandrisë e kishte
ndarë vetëm në tre grupe, edhe atë: egjiptasë, mercenarë (që ishin
të paguar) dhe aleksandriasë.
Natyrisht, për njerëzit nuk ishte aq rëndë që të mos dallohen këta
tre kategori banorësh. Mercenarët ishin të dalluar me uniformat e tyre
ushtarake. Shumica prej tyre ishin grekë të Mesdheut, sepse rruga më e
lehtë për të arritur deri në një shumë më të madhe monedhash për
të rinjtë grekë ishte inkuadrimi në armatën e Ptolomeut. Egjiptasit
ishin popull vendas dhe element kryesor për strukturën qytetare të
Aleksandrisë. Ata zakonisht mbanin veshjen e tyre tradicionale dhe kishin
mënyrën e tyre të jetesës dhe ishin popull që mbylleshin në vetvete.
Zakonet dhe temperamenti i tyre nuk i përshtateshin mënyrës së të
menduarit të grekëve.
Gjatë periudhave të ndryshme kohore, një numër jo i vogël i
egjiptasëve u helenizuan, duke marrë emrat, gjuhën dhe kulturën greke.
Madje, deri kah fundi i shekullit II para erës së re, pothuajse të
gjitha bashkësitë tjera etnike të Aleksandrisë, përveç shumicës së
popullatës egjiptase, u helenizuan.
Grupi i tretë të cilën e përmend Polibiu janë aleksandriasët. Ai për
këta konsideron se janë “popull i përzier”, por “me prejardhje
greke”. Siç shihet, për të qenë “aleksandriasë” duhet që të
posedohet statusi i qytetarit të Aleksandrisë, mëshirë të cilën
mbreti ia ofronte cilit të dëshironte vet ai, veçanërisht grekëve.
Pra, vetëm banorët e atillë kanë mundur të jenë aleksandriasë,
ndërsa të tjerët, qofshin ata egjiptas, hebrenj ose grekë, nuk
konsideroheshin si qytetarë, por vetëm banorë të rëndomtë të
Aleksandrisë.
Kjo që thamë më lartë na jep të kuptojmë se Aleksandria - që nga
themelimi i Bibliotekës Mbretërore e deri në fund të shekullit IV të
erës së re - me të gjitha format e jetesës dhe popujt që jetonin në
te, u bë kryeqendër e një shoqërie multietnike dhe multikulturore. Aty
(II p.e.r. - IV të erës së re), pati një përzierje të kulturave, në
të vërtetë përzierje të kulturës helene me atë egjiptase dhe
aziatike.




        .bl {background: url(http://www.furkan.com.mk/vepra/components/com_magazine/layouts/images/bl.gif)
0 100% no-repeat #eeeeee; }      .br {background: url(http://www.furkan.com.mk/vepra/components/com_magazine/layouts/images/br.gif)
100% 100% no-repeat}      .tl {background: url(http://www.furkan.com.mk/vepra/components/com_magazine/layouts/images/tl.gif)
0 0 no-repeat}      .tr {background: url(http://www.furkan.com.mk/vepra/components/com_magazine/layouts/images/tr.gif)
100% 0 no-repeat; padding:10px}      .clear {font-size: 1px; height: 1px}  
         


 
---------------------------------
No need to miss a message. Get email on-the-go 
with Yahoo! Mail for Mobile. Get started.
 
CD: 4ms