hamdi nuhiju | 1 May 2007 21:30
Picon
Favicon

JETA E PANJOHUR NE EKZIL E ISH-MBRETIT TE SHQIPTAREVE

Jeta e panjohur në ekzil e ish- mbretit të shqiptarëve
SEKRETET E ZOGUT NË ANGLI

Nga Lavdrim Terziu ,Angli

Është thënë e shkruar shumë për mbretin karizmatik të shqiptarëve Ahmet Zogun, por ekzistojnë ende mistere të pazbuluara mbi jetën e tij. Gjashtë vitet e tij në Angli janë anashkaluar deri më tani, thjesht duke e përmendur si fakt, por kjo nuk ka për të zgjatur shumë. Një anglez i pasionuar pas historisë së shqiptarëve, Neil Rees ka ndërmarrë një mision "zbulimi" mbi jetën e mbretit Zog në Angli. Së shpejti, ithtarët modernë të Mbretit dhe kundërshtarët e tij, do të kenë shumë më tepër "municione" për të ndezur debate të vjetra. "Unë kam konsultuar të gjitha dokumentet arkivore, dosjet sekrete të shërbimeve informative, por të gjitha këto do të jenë në plan të dytë. Ajo që më intereson më shumë janë vetë dëshmitarët; ata që jetuan në atë kohë dhe që qenë pranë Mbretit. Për fatin tim disa prej tyre janë ende gjallë dhe përbëjnë një thesar që duhet të shfrytëzohet tani. Koha nuk pret", - thotë Neil Rees. Në dhomën e tij të pritjes, ai tashmë ka varur një flamur kuq e zi, dhuratë nga studiuesi Bejtullah Destani. Në zonën e Buckinghamshire ku ai jeton, një "ushtri" e vogël janë mobilizuar për ta ndihmuar në projektin e tij për të hedhur në libër atë pjesë të historisë së Ahmet Zogut në Angli.BUCKS DHE MBRETI Ahmet Zogu me rrethin e tij mbërriti në tokën britanike më 26 qershor të vitit 1940. Greqia e përzuri me shpresë se do të shmangte sulmin e Italisë fashiste, ndërsa Franca nuk garantonte sigurinë e tij, në prag të Luftës së dytë Botërore. Ai që mori përsipër lëvizjen e Mbretit nga Franca drejt Anglisë ishte vetë Ian Fleming, agjenti i famshëm britanik dhe autor i librave mbi James Bond. AI u vendos fillimisht në një hotel Ri tz të Londrës së bashku me familjen dhe ekskortën e tij prej 35 personash. Për sigurinë e familjes së vet, në prag të bombardimit të Londrës nga nazistët gjermanë, Ahmet Zogu mori me qira një shtëpi të madhe lordësh, në fshatin e vogël Frieth, në zonën e Buckinghamshire, (shkurt Bucks), që sot njihet si një ndër zonat më të pasura të Mbretërisë së Bashkuar, diku mes Londrës dhe Oksfordit. Shtëpia është e Lordit Parmooor, ish deputet i parlamentit britanik të kohës, i cili sapo ishte ndarë nga jeta. Shtëpia Parmooor kishte 40 dhoma gjumi, dhe disa sallone e banjë, një kopsht gjigant dhe me një dekor ekstravagant. Përveç kësaj, truprojat e Mbretit jetonin në një tjetër shtëpi jo shumë larg të parës. Ndërsa në hotelin Ritz Mbreti mbajti të bllokuar një dhomë me sallon për takime zyrtare, të cilën nipërit e tij e përdornin shpesh edhe për zbavitje personale me vajzat lokale. Në të gjithë librat e shkruar për jetën e Ahmet Zogut nuk përmendet askund se ai dhe familja e tij jeto n Bucks dhe jo në Londër.EKSTRAVAGANCA Mbreti jetonte në një shtëpi me 40 dhoma së bashku me të shoqen, Mbretëreshë Geraldinë dhe Princin Leka. Në rrethin e tij të ngushtë familjar ishin edhe 5 motrat princesha, katër nipa dhe mbesa, princ Tati (Esad Murad Kryziu-djali i motrës së Mbretit) i Kosovës, tre qen dhe një dhi. Në personelin e shërbimit, kishte kuzhinierë, dy infermierë, sekretarë dhe këshilltarë politik. Tetë truproja i mbante pranë në çdo moment, por ata jetonin në një shtëpi më vete. Në Parmmor House mobiljet që përdori Mbreti ruhen ende sot e kësaj dite, përveç perdeve dhe mbulesave të tavolinës që i copëtonit vazhdimisht dhia. Sipas dëshmitarëve vendas, askush prej personelit nuk guxoi ta përzinte nga shtëpia dhinë dhe ajo ishte e pranishme me Mbretin edhe në takimet zyrtare. Në një nga dëshmitë që ka mbledhur Rees thuhet se dhia e Mbretit kishte përmbysur një rast tavolinën e ngrënies tek përtypte mbulesën e tavolinës. Mbreti Zog kishte urdhëruar mobil imin e banjave dhe ndërtimin e një banje speciale të nipërve të mbretit. Por detajet do të jenë më të qarta në libër, që pritet të jetë gati nga fundi i këtij viti.Dhuratë e padëshirueshmeNeil Rees thotë se shumë vetë e mbajnë mend ose e kanë dëgjuar për kohën e Zogut në Bucks. "Disa e kujtojnë me adhurim dhe respekt, shumë të tjerë nuk e donin fare. Ai me eskortën e tij bridhte rrugëve dhe fshatrave të Bucks me një makinë Mercedes scarletkabriole dhe në sytë e vendasve shihej si bashkëpunëtor i Hitlerit. Në fakt, nuk ka asnjë provë që Ahmet Zogu të ketë bashkëpunuar me Hitlerin. Përkundrazi, ai shkëmbeu korrespodencë me Çurçillin dhe personalitete të Rezistencës", thotë Res. Mercedesi i ishte dhuruar Mbretit Zog nga vetë Hitleri, me rastin e martesës. Ai ishte i njëjti tip Mercedesi, të cilin e përdorte edhe vetë diktatori nazist. Ndër të tjera, Rees ka zbuluar sesi Ahmet Zogu u shmangej taksave të shtetit anglez dhe marrëveshjen e tij të heshtur me autoritetet britanike. "Nëse shteti britanik do të kërkonte me forcë ligjin e vjeljeve të taksave, atëherë Mbreti mund të ngrinte zërin në media për shtetin që bënte shurdh-memecin në rastin e Shqipërisë. Shteti britanik ishte i dërrmuar nga lufta dhe nuk kishte më burime dhe as dëshirë për t'u angazhuar në një tjetër luftë kundër komunizmit në Shqipëri", ka zbuluar Neil Rees në arkivat sekrete të M15.Sipas tij, absolutisht të gjitha korrespodencat e Mbretit dhe njerëzve të tij të afërm me botën e jashtme kontrolloheshin rregullisht. Kjo "marrëveshje e heshtur" dëmtoi rëndë Mbretin dhe kauzën e tij. Më 1946, qeveria britanike njohu zyrtarisht regjimin komunist të Tiranës dhe shtetin e Enver Hoxhës. Shpresat e Zogut shteruan dhe ai vendosi të zhvendosej drejt Egjiptit, pas ftesës së vetë Mbretit Faruk.REES DHE DASHURIA PËR SHQIPTARËTNeil Rees është një autor i ri, amator. Historia është një pasion i tij, por jo profesion. Libri i tij i parë është botuar para dy vjetësh dhe ka të bëjë me kryem inistrin e parë të Çekosllovakisë dhe luftëtarët çekë që jetuan në zonën e Bucks, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Neil Rees ka udhëtuar për herë të parë në Ballkan, në vitin 1998 dhe kontaktin e parë me shqiptarët e ka pasur në Maqedoni. Gjatë kërkimeve për të shkruar një gazetë lokale mbi Bucks, Rees gjeti edhe materiale mbi Ahmet Zogun në atë zonë. Ai u tërhoq nga projekti i parë dhe filloi të merrej me projektin e dytë; historia e Mbretit të shqiptarëve, në Angli. "U çudita nga interesi i vendasve për këtë projekt. Pasi mësuan mbi këtë, një mini-ushtri u mblodh rreth meje dhe tani nuk jam vetëm. Përditë më marrin njerëz në telefon dhe më japin informacione të reja. Kam mbledhur shumë kujtime, fotografi, madje kam gjetur edhe pasardhësit e atyre njerëzve që Zogu la pas". Sipas tij, në atë kohë në Angli kanë mbetur rreth 40 shqiptarë, nga ata që erdhën së bashku me Zogun, personeli i Ambasadës Shqiptare të kohës dhe të tjerë që erdhën më pas nga Evropa. Pothuajse të gjithë janë asimiluar dhe humbur me turmën, por gjurmët janë ende të pastra. Në numrin e ardhshëm të Albanian mail do të hedhim më shumë dritë për ata që mbetën pas; për shqiptarët e parë britanikë dhe gjurmët e tyre.

Ahhh...imagining that irresistible "new car" smell?
Check out new cars at Yahoo! Autos. __._,_.___


SPONSORED LINKS
Tek Albanian Learn albanian
Albanian dating

Your email settings: Individual Email|Traditional
Change settings via the Web (Yahoo! ID required)
Change settings via email: Switch delivery to Daily Digest | Switch to Fully Featured
Visit Your Group | Yahoo! Groups Terms of Use | Unsubscribe

__,_._,___

Gmane